Biblioteka e hapur, fuqia për të ndryshuar qytetin…

Një rrugicë gjysëm e asfaltuar ndan shkollën 9-vjeçare ‘Mihal Grameno’ me pjesën tjetër të qytetit që ndryshe njihet si zona e Shkollës së Baletit. Kangjellat e hekurit ndajnë kufijtë mes dy botëve, si me magji. Kur çel portën për të hyrë në oborrin e shkollës, sikur sapo je shkrirë në një atmosferë tjetër. Gumëzhimat e lehta depërtojnë nga dritaret e klasave që të ftojnë të zbulosh një botë të re. Nuk është as bota e re e Migjenit, as ajo e Dvorzhak. Është bota e re e fëmijëve të rritur në një kohë kur teknologjia sfidon pasionin për faqet e librit.

Në shkollë më priti mësuese Florida Babani, e cila jep lëndën e Qytetarisë, bashkë me të edhe një vajzë me flokë kaçurrela e buzëqeshje energjike që quhej Dea Hoxha. Dea është kryetarja e qeverisë së nxënësve dhe një prej vajzave me të cilat shkolla krenohet. Korridoret e brendshme ishin boshatisur derisa zilja e përfundimit të mësimit, nxorri nga klasat të vegjëlit e parashkollorit dhe adoleshentët e hershëm që ishin gati të mbyllnin një ditë mësimi në kohë të vështira pandemie.

Frika nga virusi megjithatë nuk ka penguar dëshirën e fëmijëve të kësaj shkolle që të mbështetur nga mësuese Florida dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit kanë krijuar një inisiativë që sapo ka mbushur 1 vjeç. Dea tregon me pasion dhe butësinë e një fëmije të mirë sesi u bashkuan një vit më parë, mblodhën librat me bashkëmoshatarët e klasës së saj, pa e menduar se po i jepnin jetë një fondi të ri që do t’u shërbejë të gjithëve.

Çdo nxënës dhuron një apo dy libra që i ka për zemër, në të ashtuquajturën bibliotekë të hapur dhe kujdesen po të gjithë bashkë për hambarin e ri që tashmë u përket të gjithëve.

Një vit më parë biblioteka u sistemua në ‘Sheshin Skënderbej’ në Ditën Kombëtare të Aktivizimit më 22 Tetor 2019 (#NAD2019) dhe më pas u zhvendos në shkollë. Vetë nxënësit e lyen, rregulluan nëpër rafte librat e tyre dhe hapen dyert për një bibliotekë që siç Dea tregon, u vizitua më shumë se vetë biblioteka e shkollës.

Kur e pyes vajzën se ç’mendon për këtë inisiativë, thotë se është një mundësi për të gjithë shoqet dhe shokët e saj, të promovojnë dijen dhe të drejtat e tyre në komunitet.

“Po studioj shumë, për të gjitha lëndët, -tregon vajza, – do të studioj ndoshta për shkencat politike sepse dua të ndryshoj botën” . Katërmbëdhjetëvjeçarja që vitin tjetër do të nisë një cikël të ri për jetën e saj, gjimnazin, më shoqëron në klasën ku është sistemuar biblioteka që së shpejti do të zhvendoset në ambientet e hapura të shkollës.

Mësuese Florida tha se ishin në kërkim të inisiativave që ndryshojnë qytetin dhe ku ka mirë, sipas saj, që fëmijët të rriten, duke mësuar si të mbrojnë pronën e përbashkët.

Bashkimi i librave në një bibliotekë të hapur, ku çdo nxënës ka mundësi të dhurojë një libër dhe të ketë mundësi të lexojë një titull që se ka, ishte një inisiative sfiduese për kohët e vështira që jetojmë.

“Tanimë dëshira jonë është të përfshijmë të gjithë shkollën, jo vetëm një klasë ,” -tregon Florida.

Mësuesja e Qytetarisë që ka ndezur shpresën për më shumë fëmijë të lexuar e të ditur në shkollë, rrëfen e buzeqeshur se ajo çfarë i ka pëlqyer më shumë, është se nxënësve të saj pas çdo aktiviteti ju lind një tjetër ide, për të bërë dicka të re dhe me impakt për të tjerët.

Mbyllja e shkollës gjatë pandemisë, tregon mesuesja, ishte lajm i keq, por nxënësit u aktivizuan në platformën online të shkollës së tyre, me një rubrikë për librin artistik. Rikthimi në ditën e aktivizmit #NAD2020 është një shans i mirë, për të ripromovuar bibliotekën e hapur që duhet pasuruar çdo vit.

Ky është viti i fundit i ciklit mësimor në shkollën ‘Mihal Grameno’ për Dean dhe bashkëmoshatarët e saj. Ata do të lënë aty kujtimet dhe librat që kanë dhuruar edhe pasi të largohen drejt gjimnazeve. Një pjesëz e fëmijërisë së tyre do të mbetet gjithmonë si testament aktivizmi në këtë shkollë. Për brezat që do të vijnë, është motiv për ta konservuar.  Biblioteka e hapur do të vazhdojë! Ajo do të mbetet aty si shembulli më i mirë i dashurisë për jetën dhe dijen.

Unë u ktheva në shkollën time ‘ Mihal Grameno’ dikur 8-vjeçare, pas 30 vjetësh. Takova Floridën dhe Dean që më treguan sa shumë koha e kishte ndryshuar godinën, por jo ëndrrat e fëmijëve që kanë fatin të mësojnë në kohërat e lirisë. Dhe ndërsa më rrodhi një lot nga malli kur hyra në korridoret e shkollës, dhe ndërsa kujtoja shokët e shoqet e mija, sot burra e gra shpërndarë nëpër botë, ndërsa qeshja me vete për aspiratat dhe dështimet e brezit tim, me tërhoqën vëmendjen vargjet e shkruara në shkallët ballore të shkollës. Ishte himni i gruas që ndriçon sot botën me aktivizimin e saj, shqiptares Nënë Tereza…

‘Jeta është një shans, kape.’
‘Jeta është bukuri, adhuroje.’
‘Jeta është bekim, shijoje.’
‘Jeta është ëndërr, bëje realitet.’
‘Jeta është lojë, luaje.’
‘Jeta është sfidë, përballoje .’
‘Jeta është detyrë, kryeje.’
‘Jeta është dashuri, jetoje.’
‘ Jeta është e çmuar, kujdesu për të.’

Nga Sonila Agostini
Tetor 2020

Share this Post