Monitorimi i zbatimit të Buxheteve Vendore në Bashkitë e Fierit dhe Shkodrës

Periudha e zbatimit: 2013 – 2014
Donatori: Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS)
Fondi: 23,960 USD
Zbatuar në: Qytetet e Fierit dhe Shkodrës, Shqipëri
Zbatuar nga: Co-PLAN

Projekti “Monitorimi i zbatimit të buxheteve vendore në bashkitë e Fierit dhe Shkodrës”, u fokusua në transparencën dhe llogaridhënien e financave në nivel lokal. Projekti, i cili është në përputhje të plotë me parimet e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies, kërkoi të ushqejë dialogun mes organizatave të shoqërisë civile dhe autoriteteve lokale, si dhe të qytetarëve/mediave dhe autoriteteve lokale. Projekti kishte si objektiv të përgjithshëm ofrimin e të dhënave konkrete, të cilat mund të përdoren nga taksapaguesit çdo herë që ata ushtrojnë të drejtën e tyre për të kërkuar llogari mbi planifikimin dhe përdorimin e fondeve publike.Në mënyrë më specifike, objektivat e projektit ishin:

1. Zhvillimi i një metodologjie për monitorimin e buxheteve lokale dhe testimin e tij në dy bashki të nivelit të mesëm (Shkodër dhe Fier) në një periudhë prej 3-4 vitesh duke konsideruar mandatin qeverisës;
2. Analiza e detajuar e të dhënave financiare për zbatimin e buxheteve gjatë këtyre viteve, në terma konkrete të shërbimeve dhe përfitimeve për qytetarët;
3. Prezantimi i këtyre të dhënave në takimet me komunitetin, me qytetarët e Shkodër dhe Fier-it (të paktën dy takime për çdo qytet);
4. Vizualizimi dhe mundësimi për të përdorur të dhënave financiare në periudhë afatgjatë nëpërmjet platformës online që është duke u ngritur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS).

Një pjesë e konsiderueshme e projektit fokusohet në zhvillimin e metodologjisë dhe një sërë kriteresh, të cilat do të përdoren për të monitoruar zbatimin e buxheteve lokale në dy bashkitë pilot.

Share this Post