Dita Kombëtare e Aktivizmit #NAD2022

Më 21 dhe 22 tetor u bashkuam dhe festuam Ditën Kombëtare të Aktivizmit #nad2022. Për të pestin vit rradhazi, organizata, shoqata, grupe dhe aktivistë individualë që veprojnë në të gjithë territorin shqiptar u bënë pjesë e aktiviteteve të organizuara me këtë rast.

Angazhimet dhe reagimet e tyre ndër vite, si një shembull i mirë qytetarie u pasqyruan në një dokumentar të shkurtër në eventin e mbajtur pranë Qendrës Kulturore të Kompleksit të Katedrales Orthodhokse në Tiranë.

Histori frymëzuese nga aktivistë vendas e të huaj u bashkëndanë për të pranishmit, si ato të humanitarit dhe mjekut portugez Gustavo Carona de Magalhães, arsimtares Florida Kumanaku, menaxherit kulturor dhe akademikut nga Italia Paolo Petrocelli, si dhe aktivistit dhe gazetarit Geri Emiri.

Veprimtari të shumta u organizuan anembanë Shqipërisë, duke kulmuar në shkollën 9-vjeçare “Ferraj”, në Tiranë. Në këtë shkollë të Njësisë Administrative Dajt, u inaguruan punimet përmirësuese në infrastrukturën e mjedisit të jashtëm, me fokus fushën sportive dhe gjelbërimin.

E konceptuar edhe si një ditë në shërbim të nxënësve dhe komunitetit në Ferraj, qytetarë aktivistë dhe organizata të ndryshme kontribuan përmes trajnimit të stafit, kurseve aftësuese dhe aktiviteve informuese për nxënësit, dhurimit të mjeteve didaktike, këndeve informuese, pajisjeve sportive, librave shkollorë dhe artistikë për fëmijë.

Dita Kombëtare e Aktivizmit #NAD2022 u realizua në kuadër të projektit “Sparking Activism Initiatives Locally – SAIL II”, i zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit me mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane U.S. Embassy-Tirana, si pjesë e programit “Civil Society Capacity Building”.

Share this Post