Partneriteti Publik-Privat për Shërbimin e Ndriçimit Publik

Periudha e zbatimit: Prill, 2013 – 2014
Donatori: Assist Impact, USAID
Fondi: 3,581,000 Lek
Zbatuar në: Bashkinë Fier, Shqipëri
Zbatuar nga: Co-PLAN

Bazuar në eksperiencat e mëparshme dhe në kontekstin e zhvillimit të Sektorit të Partneritetit Privat-Publik në Shqipëri, Co-PLAN në përputhje me objektivin e Programit të USAID-it – ‘Forcimi i sundimit te ligjit dhe qeverisjes së përmirësuar’ – dhe me mbështetjen e dhënë nga Assist Impact, ndërmori një projekt që kishte qëllim të asistonte Bashkinë e Fierit për të krijuar një partneritet publik-privat me qëllim përmirësimin e Sistemit të Ndriçimit Publik, duke reduktuar konsumin e energjisë dhe barrën financiare të këtij shërbimi në buxhetin e bashkisë.

Qëllimi kryesor i projektit ishte të krijojë një praktikë më të mirë të hartimit, tenderimit dhe kontraktimit në një shkallë të vogël të PPP-së nga një Njësi e Qeverisjes Vendore shqiptare të bazuar në praktikat dhe teorite më të mira ndërkombëtare. Me arritjen e këtij objektivi parësor, Bashkia e Fierit, e asistuar nga Co-PLAN është në gjendje të përmirësojë cilësinë dhe efikasitetin e ndriçimit publik, i cili përbën dhe një nga shërbimet më të rëndësishme bashkiake. Për zbatimin e këtij projekti Co-PLAN është udhëhequr nga parimi se “PPP ka për qëllim jo vetëm që t’i sigurojë qeverisë një shërbim, por ta bëjë këtë në atë mënyrë që përmirëson qëndrueshmërinë afatgjatë të shërbimit përmes efikasitetit të rritur, kapaciteteve të rritura njerëzore dhe institucionale, përgjegjshmërisë më të madhe, dhe/ose teknologjisë së përmirësuar”.

Zbatimi i ndërhyrjes së propozuar pritet të përmirësojë cilësinë e shërbimit të ofruar nga Bashkia dhe të zvogëlojë kostot, për shkak të zbatimit të mekanizmave PPP dhe përdorimit të teknologjisë inovatore, si teknologjia e ndriçimit LED. Produkti kryesor për vitin 2014 ishte studimi i fizibilitetit dhe një projekt pilot ndriçimi i miratuar nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë Fier.

Share this Post