Pilotimi i Sistemit te Ri të Grumbullimit të Mbetjeve me 3 Kosha

Raport progresi i fundit i EU për Shqipërinë në fushën e menaxhimit të mbetjeve thekson:

Progres i pjesshëm është arritur në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Ndërtimi i vendgrumbullimeve të reja po vazhdonte. Megjithatë, ende nuk ishte hartuar një strategji për menaxhimin e mbetjeve. Ende vazhdonte derdhja e pakontrolluar dhe djegia e plehrave, sidomos akute ishte gjendja në zonat rurale. Përpjekje të qenësishme u kërkuan për të reduktuar prodhimin e mbetjeve dhe për të promovuar riciklimin.

Ndërkohë që kanë filluar përpjekjet dhe është duke u finalizuar Strategjia Kombëtare e Menaxhimit të Mbetjeve (draft prill 2010) dhe Plani Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve (draft prill 2010) rëndësia e rolit proaktiv të pushtetit lokal në ofrimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve mbetet momenti më kyç dhe sfida e radhës për të pasur një plan të zbatueshëm. Plani Kombëtar përcaktonte qartë politikat dhe objektivat që duheshin zbatuar në nivel kombëtar për të pasur një menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve urbane. Ky dokument strategjik propozonte që deri në vitin 2025 të kemi të zbatuar një system të integruar të menaxhimit të mbetjeve ku do të jetë e mundur: (i) të riciklohen apo të kompostohen më shumë se gjysma e mbetjeve që prodhohen sot; (ii) më pak se një e treta e tyre të shkonte në landfill (iii) dhe të rikuperohej energji nga mbetjet.

Gjithashtu ky dokument përcaktonte po aq qartë dhe një seri objektivash specifike për t’u përmbushur nga autoritetet vendore si:

1. Sigurimi i numrit të nevojshëm të konteniereve (mbyllja e pikave të hapura prej betoni) në çdo vend të përcaktuar për mbledhjen e mbetjeve deri në vitin 2015 në të gjithë territorin e vendit;

2. Mbyllja e të gjitha vend depozitimeve të pakontrolluara deri në vitin 2015;

3. Ngritja e infrastrukturës për të mbledhur në mënyrë të veçuar dhe për të stimuluar riciklimin të paktën mbi 20 % të totalit të mbetjeve të gjeneruara deri në vitin 2015;

4. Reduktimi i mbetjeve që shkojnë në impiantet e asgjësimit si dhe riciklimi i disa rrymave specifike si letra, kartoni, plastika, metalet, alumini dhe qelqi me 20% deri në vitin 2015;

5. Reduktimi i sasisë së mbetjeve të biodegradueshme që shkojnë në landfill me 75% deri në vitin 2015;

6. Kompostimi i mbetjeve të biodegradueshme në masën 25 % deri në vitin 2015.

Në këtë kontekst kaq sfidues dhe në të njëjtën kohë kaq të vështirë për njësitë e qeverisjes vendore po të marrim në konsiderate kapacitetet e limituara (humane dhe financiare), Co-Plan Instituti për Zhvillimin e Habitatit është duke asistuar Bashkinë Fier (si bashki pilot) përmes një financimi të Ambasadës së Vendeve të Ulta për të zbatuar për herë të parë sistemin e grumbullimit të diferencuar me tre kosha siç parashikohet në Planin Kombëtar te Menaxhimit të Mbetjeve.

 

Programi i Aktivitetit

23 Shtator, 2010

10.00 – 10.30                  Mirëseardhja dhe Fjalët Përshëndetëse: Fatmir Mediu, Ministër i Mjedisit Pyjeve dhe administrimit te ujit Henk van den Dool, Ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulta Baftjar Zeqaj, Kryetar i Bashkisë Fier

10.30 – 10.45                 Prezantimi i skemës së re të grumbullimit të mbetjeve me 3 kosha MSc. Konalsi GJOKA, Environmental Program Manager, Co-Plan

10.45 – 11.00                 Diskutime

11.00 – 11.15                 Vizitë në Sheshin “Nënë Tereza” dhe në Rrugën “Kastriot Muço” për përurimin e skemes së re të grumbullimit të differencuar të mbetjeve

11.15 – 11.30                Vizitë në “Bllokun Pilot të Riciklimit” (Lagjia 8 Shkurti, Zona Parafabrikate) ku do të zhvillohen aktivitete sensibilizuese me komunitetin dhe prezantimi i skemës për ndarjen e mbeturinave

11.30 – 12.00                 Vizitë në vend depozitimin e mbetjeve ku do inagurohet qëndra e re e transferimit të mbetjeve dhe demonstrohet ndarja e mbeturinave

Share this Post

Leave a Comment