Programi i Zhvillimit për Zonën Pilot në Elbasan

“Programi i Zhvillimit të Zonës Pilot ‘Lagjja 5 Maji’, Qyteti Elbasan” është një nga produktet e projektit dy vjeçar “Hapa drejt një Shoqërie gjithëpërfshirëse në Elbasan, integrimi i grupeve të prekura në zhvillimin urban”, financuar nga Cordaid Holandë dhe menaxhuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit. Ky projekt, në mënyrë të drejtpërdrejtë, synoi realizimin e aktiviteteve të cilat ndikuan pozitivisht për integrimin e komunitetit Rom të zonës pilot në zhvillimin e mëtejshëm urban të qytetit të Elbasanit, duke u krijuar banorëve të zonës mundësinë për t’u ndier qytetarë të barabartë të tij.

Dokumenti është një instrument dhe model zhvillimi në nivel lokal i cili përcakton objektivat strategjikë të zhvillimit për komunitetin Rom më synim integrimin e tij në zhvillimin urban të qytetit Elbasan duke mishëruar një vizion të përbashkët zhvillimit për zonën gjatë viteve 2008-2013 dhe duke u bazuar në analizën e profilit dhe situatës ekzistuese përkatëse. Këto objektiva përfshijnë 1) Zhvillimin ekonomik 2) Zhvillimin urban 3) Zhvillimin mjedisor dhe shëndetësor 4) Zhvillimin kulturor dhe social dhe shoqërohen më zbërthimin e tyre në Planet e Veprimit që përmbajnë përcaktimin e veprimeve dhe projekteve konkrete për çdo vit  për zbatim në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të zonës.

“Programi i Zhvillimit të Zonës Pilot ‘Lagjja 5 Maji’” vjen si pjesë e hartimit të Strategjisë së Zhvillimit të Qytetit në kuadrin e programit EGUG II, e cila përfshin edhe adresimin e nevojave dhe prioriteteve të minoritetit Rom, duke qenë se ky minoritet përfaqësohet me 10% të tërësisë së tij në qytetin e Elbasanit. Në kuadër të zhvillimit kompleks të zonës pilot, Bashkia Elbasan, Rajoni nr. 6, përfaqësuesit e komunitetit Rom pilot dhe Qendra Komunitare Rome me mbështetjen e Co-PLAN morën këtë nismë të hartimit të një dokumenti bazë që do të përmbante prioritetet e zhvillimit të zonës pilot për 5 vitet e ardhshme me qëllimin final zhvillimin e qëndrueshëm në nivel lokal. Për hartimin e dokumentit të Programit të zhvillimit të zonës pilot janë marrë në konsideratë dokumentet e mëposhtme: 1) Strategjia e Zhvillimit të Qytetit të Elbasanit, 2) Studimi Social – Ekonomik për zonën pilot (2007), 3) Plani për zhvillimin infrastrukturor të zonës pilot 4) Strategjia Kombëtare Për Përmirësimin e Kushteve të Komunitetit Rom në Shqipëri.

Ju mund të shkarkoni materialin e plotë këtu.

Share this Post

Leave a Comment