Qeverisje për Ndryshim: Propozime të Shoqërisë Civile

30 vitet e fundit, Shqipëria ka votuar 17 herë, prej të cilave 9 herë për të zgjedhur qeverinë qendrore dhe 8 herë për të zgjedhur kryetarët e bashkive përmes zgjedhjeve vendore.

Prej vitesh, përveç cilësisë së posterave dhe fushatave të sofistikuara elektorale, kandidatët u drejtohen njerëzve/votuesve në mënyrë të njëanshme dhe me premtime në këmbim të votave. Kësisoj, premtimet e parealizuara nga zgjedhjet e mëparshme përsëriten, e ndërkohë një tjetër votë kërkohet në këmbim.

Nisur nga ky kontekst dhe nga përvojat ndër vite, me mënyrën sesi i qasemi këtij momenti të rëndësishëm zgjedhor, lindi nevoja mes aktorëve të shoqërisë civile në vend për të ndarë/komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë propozime konkrete për ndryshim me partitë politike në vend në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Westminster Foundation for Democracy, në bashkëpunim me një spektër të gjerë organizatash dhe aktorësh kontribuues nga shoqëria civile, organizuan Forumin Kombëtar “Qeverisje për Ndryshim – Propozime të Shoqërisë Civile” më 23.02.2021, si një platformë paraelektorale, ku aktorë të shoqërisë civile nga sektorë të ndryshëm dhe me mandate të qarta përfaqësuese, parashtruan problematika dhe artikuluan propozime për ndryshim. Kjo nismë synon të ndikojë përmbajtësisht në agjendat dhe programet politike në terma sa më konkretë dhe të matshëm, përtej semantikës dhe metaforave në takime elektorale.

Ky dokument përmban propozimet për ndryshime të prezantuara përgjatë forumit, me fokus në zhvillim ekonomik dhe rajonal; qeverisje dhe decentralizimi; edukim, kërkim shkencor dhe media; mjedis, energji dhe ndryshimet klimatike; shëndet dhe siguri ushqimore; të drejtat e njeriut, rini, art dhe kulturë. Propozimet vijnë si kontribute të drejtpërdrejta dhe ekskluzive të organizatave pjesëmarrëse, të cilat mund të kontaktohen për hulumtime të mëtejshme në lidhje me propozimet e parashtruara dhe pse jo, mbështetje teknike për shtjellimin apo realizimin e tyre.

Ne shpresojmë që këto propozime do të merren në konsideratë nga aktorët politikë dhe si aktorë të shoqërisë civile angazhohemi të inkurajojmë dhe monitorojmë ecurinë e zbatimit të këtyre propozimeve për ndryshim dhe të çdo nisme tjetër në këtë drejtim.

Për me shumë informacion klikoni ketu.

Share this Post