Projekti “EFFORT” organizon Ditën e Ndërgjegjësimit për Efikasitetin e Energjisë në Junik
Si pjesë e projektit “EFFORT”, i zbatuar nga Komuna e Junikut, Bashkia e Mirditës dhe Co-PLAN, dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, u organizua në Junik një ditë ndërgjegjësimi me titullin “Ju jeni Energjia e Junikut”. Qëllimi i aktivitetit ishte angazhimi i qytetarëve, veçanërisht i të rinjve, për të kuptuar rëndësinë e energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit energjetik, si dhe promovimi i dialogut mes institucioneve lokale, shoqërisë civile dhe bizneseve.
Dita u hap me një takim zyrtar në ambientet e Komunës së Junikut, ku fjalët e mirëseardhjes i mbajtën Kryetari i Junikut, z. Ruzhdi Shehu, së bashku me përfaqësues të Co-PLAN dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë, të përfaqësuar nga z. Jean-Noel Gangloff. Sesioni hapës theksoi rëndësinë e projektit “EFFORT” në avancimin e ndërtesave me efikasitet energjetik dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme të energjisë në Junik dhe Mirditë.
Përfaqësues të Co-PLAN, Delegacionit të BE-së në Tiranë, Komunës së Junikut dhe Bashkisë Mirditë u takuan gjithashtu me aktorë lokalë, përfshirë institucionet arsimore, organizatat e shoqërisë civile dhe bizneset, për të shkëmbyer ide mbi mënyrat se si investimet në efikasitet energjetik dhe energji të rinovueshme mund të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të të dy zonave.
Pas diskutimeve, pjesëmarrësit morën pjesë në një shkëmbim të hapur mbi sfidat dhe mundësitë në fushën e efikasitetit energjetik dhe vizituan ekspozitën “Ngjyrosim të Ardhmen”, e cila paraqiti piktura të nxënësve të shkollës F.M.U “Edmond Hoxha”, duke shfaqur vizionin e tyre për një të ardhme më të pastër dhe më të qëndrueshme. Programi vazhdoi me shfaqjen e videove të shkurtra ndërgjegjësuese “POWER JU UP”, të përgatitura nga gjimnazistët e “Kuvendit të Junikut”, pasuar nga lexim i eseve të tyre dhe një demonstrim praktik i “Solar Work Case”, një mjet edukativ që tregon funksionimin e paneleve fotovoltaike.
Dita u përmbyll me një drekë, e cila ofroi hapësirë për shkëmbime të mëtejshme mbi rolin e komuniteteve dhe institucioneve lokale në avancimin e tranzicionit të gjelbër.
Projekti “EFFORT” synon të avancojë efikasitetin energjetik dhe zgjidhjet e qëndrueshme të energjisë përmes veprimit të përbashkët dhe ndërtimit të kapaciteteve të synuara, me fokus tek Bashkia e Mirditës dhe Komuna e Junikut. Aktivitetet kryesore përfshijnë kryerjen e vlerësimeve teknike dhe përgatitjen e masave të qëndrueshme të energjisë për ndërtesat publike.
Projekti EFFORT zbatohet nga Bashkia e Mirditës, Komuna e Junikut dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, dhe financohet nga Bashkimi Europian përmes Programit Ndërkufitar IPA Shqipëri–Kosovë.