Dita Kombëtare e Aktivizmit 2025 – Së bashku për të formësuar të ardhmen mjedisore

U zhvillua sot Dita Kombëtare e Aktivizmit, një ngjarje gjithëpërfshirëse që këtë vit i kushtohet mjedisit. Dita Kombëtare e Aktivizmit 2025 u organizua në kuadër të projektit GreenAL – “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024–2027”, i cili financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze, dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.

Aktiviteti startues ishte “Zërat e Gjelbër – Veprojmë për të Formësuar të Ardhmen Mjedisore të Shqipërisë”, ku mbajtën një fjalë përshëndetëse për rëndësinë e aktivizmit në funksion të mbrojtjes së mjedisit znj. Anila Bejko, Drejtoreshë Ekzekutive e Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, z. Erik Illes, Kreu i Zyrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ambasadën Suedeze në Tiranë, si dhe znj. Anuela Ristani, Kryetare në Detyrë e Bashkisë Tiranë. Pjesë e aktivitetit ishte dhe z. Mattias Goldmann, themelues i 2030 Secretariat, i cili mbajti një fjalim frymëzues, ku vuri theksin te roli i gjithësecilit në shoqëri, për të adresuar problematikat që lidhen me ndryshimet klimatike.

Në kuadër të ceremonisë u ndanë dhe disa çmime, për të vlerësuar kontributin e atyre që po e kthejnë mbrojtjen e mjedisit në një mision të përditshëm.

  • Çmimin për Organizatën e Gjelbër e mori organizata AOS.
  • Çmimi për Aktivistin e Gjelbër e morën znj. Denisa Kasa si dhe z. Oljam Dervishi.
  • Çmimi për Komunitetin e Gjelbër e mori organizata Natyralistët.
  • Çmimi për Sipërmarrjen Ekonomike të Gjelbër e mori FLORUM.

 

Mbi 40 organizata apo aktivistë morën pjesë gjithashtu në Panairin e Aktivizmit që u organizua në sheshin “Europa” në Tiranë, tek sa mbi 30 organizata angazhuan komunitetet dhe ndërgjegjësuan nga veriu në jug mbi sfidat mjedisore dhe mënyrën se si mund të adresojmë më së miri ato,

Ceremonia u dha live dhe në kanalet e rrjeteve sociale të Co-PLAN.

Share this Post