Publikohen gjetjet e Monitorimit të Ajrit, Ujit, dhe Zhurmave për 2025.
Publikohen gjetjet e Monitorimit të Ajrit, Ujit, dhe Zhurmave për 2025.
Në kuadër të projektit GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile” u publikuan sot rezultatet e Monitorimit Alternativ të Ajrit, Ujit dhe Zhurmave për vitin 2025. Përgjatë eventit prezantues, mbajtën një fjalë përshëndetëse Ambasadori i Suedisë, SH.T.Z. Niklas Ström, Zëvendësministër i Mjedisit, Z.Gent Gazheli, Drejtoresha Ekzekutive e CoPlan, Znj. Anila Bejko, si dhe u realizuan disa prezantime dhe një panel diskutimi.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Drejtoresha Ekzekutive e CoPlan, znj. Bejko u shpreh se:
“Ky raport sot, shumë më i plotë dhe i gjerë në hapësirë dhe tematikë, që na ndihmon të marrim vendime më të mira për qytetet tona, rezultat i punës së kolegëve të GreenAL dhe kontributit të një numri organizatash të mbështetura në kuadër të projektit, është gjithashtu një dëshmi e qasjes së GreenAL si një projekt që na mundëson që së bashku të rritemi, të bashkëpunojmë më mirë me njëri-tjetrin dhe të kemi më shumë zë si shoqëri civile në vendimmarrjen mjedisore.”
Monitorimi alternativ i cilësisë së ajrit, ndotjes akustike dhe cilësisë së ujërave i realizuar gjatë vitit 2025 ofron një pasqyrë të zgjeruar të gjendjes së mjedisit urban në Shqipëri dhe kontribuon në rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimit publik mbi presionet mjedisore që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve.
Në këtë drejtim, duke u ndalur te disa prej rezultateve të monitorimit, Drejtoresha Ekzekutive e CoPlan, Znj. Bejko vlerësoi domosdoshmërinë e të dhënave, për të hartuar politika në interes të qytetarëve. 66.7% e pikave të monitorimit në Tiranë përgjatë vitit tejkalojnë vlerën referencë për dioksidin e azotit (NO₂), duke treguar një ndikim të fortë të trafikut rrugor dhe burimeve të djegies në zonat urbane. Në të njëjtën kohë, po në Tiranë, 98.3% e pikave të monitorimit rezultojnë mbi nivelin referencë për dioksidin e karbonit (CO₂) çka reflekton intensitetin e lartë të aktivitetit urban dhe të trafikut në qytetet tona.
Ndërkohë në shumë nga stacionet e monitorimit, në kryeqytet, nivelet e zhurmës tejkalojnë kufirin orientues prej 55 decibel gjatë ditës, ndërsa në disa raste janë regjistruar nivele shumë më të larta, mbi 80 decibel, duke treguar një shpërndarje të gjerë të ndotjes akustike në territorin e analizuar.
Rezultatet e monitorimit tregojnë se presionet kryesore mjedisore në zonat urbane lidhen kryesisht me trafikun rrugor, intensitetin e zhvillimit urban, aktivitetet ndërtimore dhe në disa raste me ndikime industriale historike. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit dhe në nivelet e zhurmës, ndërsa në rastin e ujërave presionet lidhen kryesisht me shkarkimet urbane, rrjedhjet sipërfaqësore dhe aktivitetet bujqësore.
Cilësia e ajrit
Cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara paraqet një shpërndarje të pabarabartë të ndotësve, ku disa zona urbane përballen me përqendrime më të larta ndotjeje për shkak të trafikut dhe densitetit të zhvillimit. Ndër ndotësit e analizuar, NO₂ dhe CO₂ rezultojnë si ndotësit më të përhapur në zonat urbane, ndërsa grimcat e imëta me diametër 2.5 mikrometra (PM2.5) dhe grimcat e imëta me diametër 10 mikrometra (PM₁₀) paraqesin nivele të ndryshme në varësi të qytetit dhe burimeve lokale të ndotjes.
Analiza e të dhënave në bashkinë Tiranë, ku është realizuar numri më i madh i matjeve, tregon se 1.3% e pikave të monitorimit tejkalojnë standardin referencë për PM₂.₅, ndërsa nuk është regjistruar asnjë tejkalim për PM₁₀. Në të kundërt, situata është dukshëm më problematike për ndotësit e lidhur me trafikun. Për NO₂, rreth 66.7% e pikave të monitorimit tejkalojnë vlerën referencë, ndërsa për CO₂ rreth 98.3% e pikave rezultojnë mbi pragun referencë, duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të trafikut urban dhe aktivitetit ekonomik në qytet.
Në bashkinë Durrës, 100% e pikave tejkalojnë standardin për PM₂.₅ dhe PM₁₀. Në të njëjtën kohë, nuk janë evidentuar tejkalime për NO₂, ndërsa 100% e pikave rezultojnë mbi pragun referencë për CO₂. Këto rezultate sugjerojnë ndikim të konsiderueshëm të grimcave të pezulluara në ajër, të cilat mund të lidhen me trafikun urban, aktivitetet ndërtimore dhe ndikimin e zonës portuale.
Në bashkinë Elbasan, rezultatet tregojnë se asnjë pikë monitorimi nuk tejkalon standardin për PM₂.₅ dhe PM₁₀. Megjithatë, për ndotësit e lidhur me trafikun, rreth 91% e pikave tejkalojnë standardin për NO₂, ndërsa rreth 95% e pikave rezultojnë mbi pragun referencë për CO₂.
Në bashkinë Fier, rreth 73% e pikave tejkalojnë standardin për PM₂.₅ dhe rreth 79% për PM₁₀, ndërsa për NO₂rreth 67% e pikave të monitorimit tejkalojnë standardin.
Në bashkinë Korçë, rreth 51% e pikave tejkalojnë standardin për PM₂.₅ dhe rreth 57% për PM₁₀, ndërsa për NO₂rreth 21% e pikave tejkalojnë standardin.
Në bashkinë Shkodër, rreth 52% e pikave tejkalojnë standardin për PM₂.₅ dhe rreth 50% për PM₁₀. Për NO₂ rreth 57% e pikave tejkalojnë standardin, ndërsa rreth 96% e pikave rezultojnë mbi pragun referencë për CO₂.
Rezultatet nga monitorimi stacionar me sensorët IQAir tregojnë gjithashtu variacione sezonale të ndotjes së ajrit. Në disa pika monitorimi janë evidentuar rritje të përqendrimeve gjatë muajve të dimrit, veçanërisht për grimcat PM₂.₅ dhe PM₁₀, të cilat lidhen me përdorimin e burimeve të ngrohjes dhe me kushtet atmosferike që favorizojnë akumulimin e ndotësve pranë sipërfaqes së tokës.
Monitorimi u zhvillua duke ndjekur Metodologjinë e Monitorimit Alternativ të projektit GreenAL, e cila bazohet në përdorimin e pajisjeve portative dhe stacionare për mbledhjen e të dhënave në terren, si dhe në përfshirjen e qytetarëve dhe organizatave lokale në procesin e monitorimit mjedisor.
Ndotja akustike
Monitorimi i ndotjes akustike është realizuar paralelisht me monitorimin e cilësisë së ajrit, në të njëjtat pika monitorimi dhe në dy intervale kohore kryesore: gjatë ditës dhe gjatë natës. Rezultatet tregojnë se ndotja akustike në qytetet e monitoruara lidhet kryesisht me trafikun rrugor dhe aktivitetet urbane. Në Tiranë, nivelet më të larta të zhurmës janë regjistruar në zona me trafik të dendur si Unaza e Re, Rruga e Kavajës dhe zona e Sheshit Wilson. Në Durrës, zonat më të ndikuara përfshijnë Rrugën Taulantia dhe segmentet urbane pranë qendrës së qytetit. Në Elbasan, nivele më të larta zhurme janë evidentuar në zonat qendrore dhe përgjatë akseve kryesore të qarkullimit urban. Në Fier, zonat më të ndikuara janë akset kryesore rrugore dhe zona qendrore urbane. Në Korçë dhe Shkodër, nivelet më të larta të zhurmës janë regjistruar kryesisht në zonat qendrore dhe përgjatë rrugëve me fluks më të lartë trafiku.
Cilësia e ujërave
Monitorimi i cilësisë së ujërave gjatë vitit 2025 është realizuar në një sërë trupash ujorë të shpërndarë në territorin e vendit. Analizat kanë përfshirë parametra fizikë dhe kimikë si temperatura e ujit, pH, oksigjeni i tretur, përçueshmëria elektrike, turbiditeti dhe përqendrimet e disa joneve kryesore. Rezultatet tregojnë një situatë të përzier të cilësisë së ujërave, ku disa trupa ujorë paraqesin parametra brenda intervaleve të pranueshme, ndërsa në disa zona janë evidentuar shenja të presionit nga aktivitetet antropogjene. Ndër trupat ujorë ku janë evidentuar presione më të larta ndotjeje përfshihen disa segmente të kanaleve kulluese në zonën Fier–Divjakë, veçanërisht Kanali Roskovec–Hoxharë (Vija e Ngjalës), si dhe disa pika pranë Emisarit të Tërbufit dhe kanaleve të lidhura me sistemin kullues të zonës.
Në këto zona janë evidentuar rritje të turbiditetit dhe përçueshmërisë elektrike, të cilat lidhen me praninë e sedimenteve dhe me rrjedhjet sipërfaqësore nga aktivitetet bujqësore. Në disa segmente janë evidentuar gjithashtu ndryshime në përqendrimet e nutrientëve, veçanërisht nitrateve, të cilat mund të lidhen me përdorimin e plehrave kimike në aktivitetet bujqësore përreth dhe me shkarkimet urbane. Rritja e këtyre parametrave mund të kontribuojë në proceset e eutrofikimit të ujërave, të cilat ndikojnë negativisht në ekuilibrin ekologjik të trupave ujorë dhe në biodiversitetin ujor.
Vlerësimi i përgjithshëm
Në përgjithësi, rezultatet e monitorimit tregojnë se trafiku rrugor mbetet burimi kryesor i presionit mjedisor në zonat urbane të monitoruara, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e përqendrimeve të NO₂ dhe CO₂ dhe në nivelet e ndotjes akustike. Në të njëjtën kohë, prania e hapësirave të gjelbra dhe ventilimi më i mirë urban lidhen me nivele më të ulëta të ndotësve, duke treguar rëndësinë e planifikimit urban të qëndrueshëm dhe të integrimit të zgjidhjeve të bazuara në natyrë për përmirësimin e cilësisë së mjedisit urban. Zgjerimi i rrjetit të monitorimit alternativ dhe përfshirja e komuniteteve lokale në procesin e mbledhjes së të dhënave përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe ndërgjegjësimit publik mbi presionet mjedisore. Të dhënat e gjeneruara përmes këtij procesi mund të shërbejnë si një burim i rëndësishëm informacioni për institucionet vendore dhe kombëtare në hartimin e politikave dhe masave për reduktimin e ndotjes dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës në qytete.
Monitorimi dhe eventi realizohen nga Projekti GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024 – 2027” financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze Embassy of Sweden in Tirana dhe zbatohet nga @coplanalbania në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV Albania.












