Forumi Kombëtar për Energjinë – Shqipëria përballë sfidave energjetike
21 Janar 2026 – U mbajt Forumi Kombëtar për Energjinë, organizuar nga Co-PLAN, dhe zhvilluar në kuadër të projektit EFFORT, i cili promovon dialogun bazuar në prova mbi politikat e energjisë dhe të klimës, si dhe programit GreenAL, i cili forcon rolin dhe kapacitetet e organizatave mjedisore të shoqërisë civile në të gjithë Shqipërinë, financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) dhe Delegacioni i BE-së.
Forumi ndërlidhi tre nivele diskutimi: kontekstin e politikave kombëtare dhe rajonale, sfidat e zbatimit në nivel vendor, dhe përvojën praktike të komuniteteve dhe shoqërisë civile, duke mundësuar një diskutim të hapur mbi mënyrën se si Shqipëria mund të realizojë tranzicionin e saj energjetik në mënyrë reale dhe gjithëpërfshirëse.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtoresha Ekzekutive e Co-PLAN, znj. Anila Bejko, u shpreh ndër të tjera se:
“Forumi i sotëm nuk ka për qëllim të japë përgjigje të thjeshta. Synimi ynë është të krijojmë një hapësirë ku politikat kombëtare dhe rajonale takohen me realitetin lokal dhe me përvojën e qytetarëve,“ duke shtuar gjithashtu se “Tranzicioni energjetik nuk është vetëm një proces teknik. Ai është mbi tê gjitha një proces shoqëror. Dhe ai do të jetë i suksesshëm vetëm nëse është i drejtë, I kuptueshëm dhe i përbashkët.”
Si I ftuar i forumit ishte dhe z. Arben Kllokoqi, Ekspert i Energjisë, Drejtor i Grupit të Punës për Mbështetjen Rregullatore, në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, i cili në një lidhje online foli për mundësitë që do i jepen Shqipërisë kur të integrohet plotësisht në Komunitetin e Energjisë.
Lidhur mbi progresin e Shqipërisë në zbatimin e KKP-së dhe zhvillimin e Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën foli z. Rezart Kapedani, Ekspert Kombëtar në fushën e energjisë dhe mjedisit. Ndërkaq, për të bërë një paraqitje të detajuar të perspektivave të organizatave të shoqërisë civile mbi varfërinë energjitike foli Prof. Mihallaq Qirjo, Ekspert Mjedisi, dhe Drejtor Ekzekutiv i REC Albania. Në fjalën e tij, z. Qirjo u shpreh ndër të tjera se OSHC-të janë të angazhuara për të kontribuar në zgjidhje strukturore të nevojshme. Përvoja e OSHC-ve ofron njohuri mbi mënyrën se si politikat energjetike ndikojnë te familjet dhe grupet e cënueshme, si dhe mbi mënyrën se si nismat nga poshtë-lart mund të plotësojnë përpjekjet institucionale për të garantuar më shumë mirëqënie për njerëzit.
Përtej fjalëve hapëse, në forum u mbajtën dhe dy panele të dedikuara. Në panelin e parë, vëmendja u përqëndrua në sfidat energjetike në nivel vendor, ku Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, Kryetari i Komunës Junik në Kosovë, z. Ruzhdi Shehu, si dhe Menaxheri i Projektit EFFORT, z. Elvis Ndreka, folën për shembullin e projektit EFFORT, si projekt që po ndihmon në politikat zhvilluese energjetike të këtyre zonave, dhe qasjen e projektit për të patur godina eficiente energjetike dhe përdorim të energjisë së rinovueshme për godinat publike.
Diskutimi mbi sfidat në nivel vendor dhe nevojës për bashkërendim të punës mes institucioneve për një tranzicion energjetik u vijua me z. Bledar Aliaj, Ekspert i Tranzicionit Energjetik në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, znj. Katerina Marku, Eksperte e Energjisë dhe Qëndrueshmërisë pranë Bashkisë Tiranë, z. Rodon Miraj, Ekspert i Politikave të Energjisë, z. Klodian Xhexhi, Lektor i Inxhinierisë së Ndërtimit, pranë Universitetit Polis.
Në sesionin final të forumit, fokusi u vendos në veprimet konkrete që shoqëria civile po ndërmerr për të monitoruar, dhe hulumtuar çështjet që lidhen me energjinë, mjedisin apo klimën, por edhe për ndërgjegjësimin e komuniteteve mbi Planin e veprimit për Klimën dhe Energjinë, si dhe barrierat që hasen në implementimin e iniciativave që kontribuojnë në përmbushjen e objektivave të planit. Gjatë panelit u dhanë shembuj të projekteve për fuqizimin e komuniteteve, dhe përdorimin e energjive të rinovueshme në nivel lokal.
Në këtë drejtim, dhanë kontributin e tyre znj. Ola Mitre, Eksperte e Medias, Drejtoreshë Ekzekutive e All Green Centre, z. Meivis Struga, Ekspert Mjedisi pranë ETMI, znj. Valbona Mazreku, Drejtoreshë Ekzekutive e Milieukontakt, si dhe znj. Etleva Martiri, Eksperte e Shoqërisë Civile, pranë Development Alternative Resource Center.
Forumi u moderua nga znj. Kejt Dhrami, Eksperte e qeverisjes së territorit dhe zhvillimit rajonal pranë Co-PLAN. Në fund të forumit, Menaxheri i projektit GreenAL, z. Imeldi Sokoli, bëri dhe një përmbledhje të diskutimeve.
Sipas z. Sokoli,
““Bashkëpunimi nuk shihet vetëm si detyrim ligjor, por një bashkërendim i vazhdueshëm i forcave mes aktorëve, që garanton qëndrueshëmëri të procesit.”
Sipas tij, shoqëria civile është interlokutori më i mire për tranzicionin energjetik, duke ndihmuar të nxjerrë në pah aspektet që duhen rregulluar, përmirësuar, shqetësimet, të cilat aktorët institucionalë nuk i marrin në konsideratë apo për të cilat mungon koordinimi për t’i adresuar.
Forumi Kombëtar për Energjinë bëri bashkë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, ekspertë dhe akademikë të dedikuar ndaj çështjeve energjetike.



























