GreenAL mban tavolinën e rrumbullakët “Progresi Mjedisor drejt BE: Perspektiva e OSHC-ve”

GreenAL mbajti tavolinën e rrumbullakët “Progresi Mjedisor drejt BE: Perspektiva e OSHC-ve”, ku u diskutuan problematikat e lidhura me mjedisin, energjinë, transportin, dhe ndryshimet klimatike (ose ato që janë pjesë e grupkapitullit të 4). Pjesë e takimit, ishte fillimisht prezantimi mbi “Vlerësimin e Monitorimit të Cilësisë së Ajrit  Dokumenti i Rekomandimeve Politike”, nga Drejtoresha Ekzekutive e Milieukontakt Shqipëri, znj. Valbona Mazreku, ndjekur nga rekomandimet politike “Restaurimi i pyjeve – Drejt një politike kombëtare për ripyllëzim të qëndrueshëm dhe të bazuar në komunitet”, të prezantuara nga znj. Anisa Coniku, Eksperte Mjedisi dhe specialiste pranë Trees for Albania.

Menaxheri i Projektit GreenAL pranë CoPlan, z. Imeldi Sokoli, si dhe Ekspertja e Qeverisjes së Territorit dhe Zhvillimit pranë CoPlan, znj. Kejt Dhrami, bënë një përmbledhje të zhvillimeve të deritanishme në tematikat e grupkapitullit të katërt, që pas daljes së Progres Raportit të vitit 2025 nga Komisioni Evropian, si dhe koordinuan diskutimet brenda rrjetit.

Tavolina e rrumbullakët është një organizim i përvitshëm, që ndihmon rrjetin GreenAL të përpilojë një dokument të dedikuar që pasqyron shqetësimet dhe propozimet e organizatave të shoqërisë civile në lidhje me tematikat e grupkapitullit të katërt. Ky dokument, do i dorëzohet institucioneve në Shqipëri, por edhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, duke u bërë kështu një instrument jo vetëm për të adresuar problemet që lidhen me mjedisin, energjinë, transportin dhe ndryshimet klimatike, por edhe për të ndikuar në vlerësimet dhe rekomandimet që BE ka për tranzicionin e gjelbër në Shqipëri, përmes Progres Raportit të përvitshëm.

Pas takimit dhe një round-i final mbledhjeje të komenteve dhe rekomandimeve nga ana e organizatave të shoqërisë civile, GreenAL do të publikojë dokumentin që do të mund të jetë i aksesueshëm për publikun dhe institucionet.

Ky event u realizua nga Projekti GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024 – 2027” financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze Embassy of Sweden in Tirana dhe zbatohet nga @coplanalbania në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV Albania.

Share this Post