Projekti GreenFORCE Promovon Tranzicionin e Gjelbër të Drejtë në Ballkanin Perëndimor
U zhvillua eventi përmbyllës i projektit GreenFORCE të Horizon 2020 i Bashkimit Evropian, zbatuar nga Co-PLAN dhe partnerë të rëndësishëm evropianë, që ka për synim forcimin e ekselencës kërkimore dhe kapaciteteve institucionale në rajonin e Ballkanit Perëndimor në drejtim të Tranzicionit të Gjelbër.
I nisur në vitin 2022, GreenFORCE ka bashkuar më shumë se 200 aktorë, duke përfshirë akademikë, organizata të shoqërisë civile, institucione publike dhe sektorin privat, nën një objektiv të përbashkët: bashkëkrijimin e kërkimeve dhe bashkërendimin e punës për një tranzicion të gjelbër, gjithëpërfshirës dhe të drejtë në një rajon që përballet me sfida të përbashkëta.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Drejtoresha Ekzekutive e Co-PLAN, Dr. Anila Bejko, u shpreh se: “Për tre vite, projekti GreenFORCE i financuar nga Horizon ka trajtuar një sfidë kritike: ndërtimin e ekselencës kërkimore për të mbështetur një tranzicion të gjelbër me drejtësi në Ballkanin Perëndimor. Duke ardhur nga një periudhë e gjatë tranzicioni politik dhe socio-ekonomik, ne e dimë se ky tranzicion nuk do të jetë i lehtë dhe se barrat mund të bien në mënyrë disproporcionale mbi më të pambrojturit. Ndaj, ne bëmë kërkime. Bashkëpunuam përtej kufijve dhe disiplinave. Dhe punuam për ta bërë kompleksitetin e tranzicionit të gjelbër të kuptueshëm dhe të zbatueshëm për të gjithë.”
Partnerët e projektit përfshijnë: Politecnico di Torino (Itali), Fakulteti i Gjeografisë në Universitetin e Beogradit (Serbi), Qendra për Analiza Ekonomike (Maqedonia e Veriut), Nordregio (Suedi), dhe Universiteti POLIS (Shqipëri). Projekti ndërtohet mbi tre shtylla kryesore: prodhimin e njohurive territoriale përmes kërkimeve eksploruese; shkëmbimin e njohurive përmes ciklit të menaxhimit të njohurive; dhe thellimin e ndikimit në shoqëri përmes rrjeteve rajonale dhe angazhimit në politika.
Përgjatë projektit u realizuan pesë raste studimore rajonale që trajtuan sfida të rëndësishme si dekarbonizimi, ndryshimet klimatike, mobiliteti i qëndrueshëm dhe efiçenca energjetike, duke analizuar ndikimet dhe kostot e tranzicionit të gjelbër përmes skenareve të mundshme. Në Shqipëri, p.sh., fokusi i kërkimit ishte në tranzicionin drejt zero-emetimeve në lagjet post-komuniste urbane të Tiranës.
Një nga arritjet kryesore të projektit ka qenë gjithashtu identifikimi i mundësive për bashkëpunim makro-rajonal, në funksion të avancimit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB) dhe Planit të Rritjes dhe Investimeve për rajonin. Këto përfshijnë: shkëmbimin ndërkufitar të njohurive, bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm, dhe qasje të bazuara në vendimmarrje që promovojnë zgjidhje të përshtatura për kontekstin lokal dhe qeverisje gjithëpërfshirëse. Në një rajon ku ndryshimet politike ndikojnë shpesh mbi vullnetin për të ndjekur politika të bazuara në prova shkencore, GreenFORCE thekson rolin kyç të rrjeteve si RCC, NALAS dhe TG-WeB në ruajtjen e vazhdimësisë së projektit dhe thellimin e bashkëpunimit.
Me përfundimin zyrtar, GreenFORCE lë pas një trashëgimi të fortë kapacitetesh kërkimore, bashkëpunimi ndërsektorial, dhe një model konkret për një të ardhme të gjelbër dhe të drejtë për Ballkanin Perëndimor. Pjesë e eventit ishin dhe fjalime të mbajtura nga z. Andrea Ferrero, Shef i Seksionit të Operiacioneve për Zhvillimin Ekonomik të Qëndrueshëm dhe Zhvillim Shoqëror, nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, si dhe Dr. Kai Bohme, Themelues dhe Drejtor i Spatial Foresight. Gjithashtu, u mbajtën dhe tre panele të dedikuara, për të diskutuar më në detaje mbi tranzicionin e gjelbër në Ballkanin Perëndimor.