Bashki të Forta organizon workshop mbi përfshirjen sociale në Lezhë

Në kuadër të programit Bashki të Forta, u zhvillua në Lezhë një workshop mbi përfshirjen sociale, transparencën dhe forcimin e partneriteteve për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve nga pushteti vendor. Takimi pati përfaqësues të bashkive Lezhë, Shkodër, Mirditë, Kukës, përfaqësues nga media dhe shoqëria civile, me të cilët u diskutua gjerësisht për nevojën e përfshirjes sociale, vecanërisht të grupeve vulnerabël në të gjithë procesin e menaxhimit të mbetjeve. Roli i medias, për të informuar dhe ndërgjegjësuar por edhe investiguar shërbimet e ofruara, ishin gjithashtu pjesë e takimit.

 

 

Përgjatë workshop-it, të pranishmit diskutuan dhe për nevojën e përfshirjes së shoqërisë civile në proceset edukuese dhe ndërgjegjësuese mbi menaxhimin e mbetjeve, por edhe për rolin e oshc-ve në proceset monitoruese, në fuqizimin e grupeve vulnerabël, nxitjen e ekonomisë së gjelbër si dhe ndërlidhjen për pjesëmarrje të aktorëve të ndryshëm në vendimmarrje.

Një sesion i dedikuar iu rezervua dhe nevojës së transparencës dhe luftës kundër korrupsionit për një menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve.

Workshop-i organizohet nga Co-PLAN, Metropolis shpk dhe programi Bashki të Forta. Programi ofron Asistencë Teknike Intensive për Përmirësimin e Shërbimeve të Menaxhimit të Mbetjeve në gjashtë NJQV të Shqipërisë (Shkodër, Lezhë, Kukës, Mirditë, Shijak dhe Dibër).

Share this Post