Efiçenca energjetike në Mirditë, Projekti “EFFORT” prezanton masat
U zhvillua dëgjesa publike mbi Planin Vendor të Veprimit për Efiçencën e Energjisë të Bashkisë Mirditë, ku projekti “EFFORT” prezantoi masat për përmirësimin e efiçencës energjetike të ndërtesave publike. Projekti synon të zhvillojë praktikat e qëndrueshme të përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë në Mirditë, zvogëlimit të konsumit të energjisë, menaxhimit të ndërtesave, apo edhe rinovimit të ndërtesave me efikasitet energjetik.
Efiçenca energjetike në Mirditë – rezultatet e pritshme të “EFFORT”
Përgjatë dëgjesës publike, të pranishmit u njohën dhe me rezultatet e pritshme të projektit, që përfshijnë vlerësimin dhe auditimin energjetik të 10 objekteve publike në Bashkinë Mirditë, hartimin e planeve lokale të efiçencës së energjisë që do të zbatohen në një periudhë afatshkurtër në nivel vendor, hartimin e projekteve teknike për instalimin e pajisjeve inovative (panele fotovoltaike, sistem ngrohje qëndrore dhe termoizolim), apo instalimin e pajisjeve inovative të kursimit të energjisë në vitin e tretë të projektit (panele fotovoltaike në 10 ndërtesa publike), duke përfshirë pilotimin e instalimit të sistemit të ngrohjes termike në një ndërtesë në Mirditë, ngritjen e kapaciteteve në drejtim të përmirësimit të praktiva të efiçencës së energjisë, si dhe informimin e komunitetit lokal mbi këto praktika.
Projekti “EFFORT” zbatohet nga Bashkia Mirditë, Komuna Junik dhe Co-PLAN, si dhe financohet nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA Cross-Border Shqipëri Kosovë.