Forumi Kombëtar Kundër Ndotjes bashkon shoqërinë civile, bizneset dhe të rinjtë për zgjidhje konkrete ndaj ndotjes në Shqipëri

Projekti GreenAL – “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024–2027”, organizoi Forumin Kombëtar Kundër Ndotjes, një platformë bashkëpunimi mes sektorit privat, inovacionit dhe organizatave mjedisore, me synimin për të zhvilluar partneritete konkrete për reduktimin e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës në Shqipëri. Forumi synoi të vendosë të dhënat dhe praktikën e shoqërisë civile në qendër të diskutimit, duke ftuar institucionet dhe bizneset të ndërtojnë zgjidhje mbi evidencë.

Në fjalën hapëse, Anila Bejko, Drejtuese Ekzekutive e Co-PLAN, theksoi se partneritetet mes shoqërisë civile dhe sektorit privat janë çelësi për të kaluar nga identifikimi i problemeve te implementimi i zgjidhjeve të matshme. Edhe Mattias Goldmann, themelues i 2030 Secretariat, aktor i rëndësishëm në çështjet klimatike dhe Agjendën 2030, vuri theksin te përdorimi i evidencave që mund të orientojnë investimet dhe inovacionin, duke ndarë edhe shembuj konkretë.

 

 

Ndotja në Shqipëri kërkon ekosistem inovacioni

Në panelin e parë të forumit “Dialog mes Biznesit, Inovacionit dhe Shoqërisë Civile”, moderuar nga Mattias Goldmann, diskutimet u fokusuan në ndërtimin e një ekosistemi inovacioni që lidh të dhënat e shoqërisë civile me kapacitetet teknologjike dhe investimet e sektorit privat. Ndotja në Shqipëri kërkon të adresohet përmes modeleve të partneritetit që shkojnë përtej ndërhyrjeve të fragmentuara.

 

 

Pjesë e panelit ishin z. Enio Jaço, themelues i CBS, ish-President i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe President Nderi i Organizatës Botërore për Lidership në ESG, i cili foli mbi rolin e sektorit privat në tranzicionin mjedisor. Lulzim Baumann, themelues dhe drejtor i RecycAL, Circular Economy Park Albania, foli për ekonominë qarkulluese në kontekstin lokal, praktikat, sfidat dhe mundësitë në Shqipëri. Një tjetër panelist, z. Marcel Thomkins, Drejtues i Angazhimit të Sektorit Privat në “EU 4 Circular Economy and Livable Cities”, dha kontributin e tij mbi mbështetjen evropiane për ekosistemet e inovacionit të gjelbër. Edhe znj. Françeska Korançe, themeluese dhe Drejtuese Ekzekutive e organizatës “Build Green Group”, foli mbi mënyrën se si komuniteti EIT shërben si përshpejtues i inovacionit kundër ndotjes.

 

 

Forumi kishte edhe një sesion të dytë, ku u formuan tre grupe pune për të adresuar ndotjen e ajrit, ndotjen e ujit dhe mbetjet e (mikro)plastikat. Grupet u drejtuan respektivisht nga Endi Biba dhe Erjon Sauku (Milieukontakt) dhe Kejt Dhrami (Co-PLAN) për ndotjen e ajrit; Erjon Kalaja (H2H Foundation) dhe Sami Nezaj (qTIL) për ndotjen e ujit; si edhe Meivis Struga (ETMI) dhe Elvis Nreka (Co-PLAN) për mbetjet dhe (mikro)plastikat.

 

Forumi Kombëtar “Partnerships for Depollution” u organizua në kuadër të projektit GreenAL – “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024–2027”, i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida), me fondet e Qeverisë Suedeze, dhe zbatuar nga Co-PLAN, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.

Share this Post