GreenAL organizon Forumin Kombëtar për Ekosistemet dhe Biodiversitetin
Projekti GreenAL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile të Mjedisit 2024 – 2027” organizoi Forumin Kombëtar për Ekosistemet dhe Biodiversitetin, duke bërë bashkë organizata të shoqërisë civile, institucione publike, ekspertë dhe komunitete që kontribuojnë në çështjet mjedisore, apo mbrojtjen e natyrës. Në hapje të eventit, u theksua se trashëgimia natyrore e Shqipërisë ndodhet në një pikë kritike përballë shpyllëzimeve, humbjes së biodiversitetit dhe ndotjes, ndërkohë që hapja e Kapitullit të 27: “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike” kërkon angazhim direkt të aktorëve të ndryshëm të shoqërisë civile për të përshpejtuar procesin e integrimit.
Paneli i parë “Sfidat institucionale të menaxhimit të ekosistemeve”, solli perspektiva të ndryshme mbi zbatimin e politikave mjedisore, përafrimin me legjislacionin evropian, mbrojtjen e pyjeve dhe vlerësimin shkencor të zonave të mbrojtura. Diskutimet nxorën në pah nevojën për më shumë koordinim, monitorim dhe përfshirje të komuniteteve lokale, shtim të kapaciteteve teknike dhe financiare nga ana e institucioneve publike.
Nëpërmjet panelit “Lightning talks” u sollën raste konkrete nga terreni, si nisma për mbrojtjen e pyjeve, biodiversitetin urban, apo monitorimin e gjendjes së liqeneve e lumenjve. Aktivistë dhe përfaqësues lokalë ndanë përvojat e tyre se si nismat komunitare mund të kontribuojnë në lëvizje më të gjera mjedisore. Edukimi mjedisor, konsiderohet gjithashtu një domosdoshmëri, për një zhvillim të qëndrueshëm.
Forumi u përmbyll me një thirrje të përbashkët për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes institucioneve, shoqërisë civile dhe komuniteteve, duke vendosur në qendër vizionin për një të ardhme ku edhe nismat e vogla lokale bëhen pjesë e një strategjie kombëtare për mbrojtjen e ekosistemeve dhe biodiversitetit në Shqipëri.
Projekti GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024 – 2027” financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV Albania.