Miratohen Planet e Veprimit për Energjinë në Mirditë dhe Junik, hartuar me mbështetjen e projektit “EFFORT”

Është miratuar Plani Vendor i Veprimit për Efiçiencën e Energjisë (PVVEE) i Bashkisë Mirditë, i hartuar nga projekti “EFFORT”. Pas finalizimit dhe miratimit të Planit Komunal të Veprimit për Energji dhe Klimë (PKVEK) në Komunën e Junikut në korrik 2025, miratimi i PVVEE në Mirditë, shënon kështu përmbylljen me sukses të një faze të rëndësishme të projektit “EFFORT”. Ky projekt, do të zhvillojë praktikat e qëndrueshme të përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë në Mirditë dhe Junik, zvogëlojë konsumin e energjisë, do të shërbejë në menaxhimin e energjisë së ndërtesave, apo edhe rinovimin e tyre të me efikasitet energjetik. “EFFORT” zbatohet në partneritet nga Bashkia Mirditë, Komuna Junik dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, me synim forcimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore në planifikimin dhe zbatimin e masave konkrete për energjinë e pastër dhe përballimin e ndryshimeve klimatike.

Bashkia Mirditë – Miratimi i Planit Vendor të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë (PVVEE)

Bashkia Mirditë përfundoi procesin e hartimit të Planit Vendor të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë (PVVEE), i cili u miratua më 30 shtator 2025 nga Këshilli Bashkiak i Mirditës. Plani është përgatitur në përputhje me Ligjin nr. 124/2015 “Për Efiçiencën e Energjisë”, si dhe me Urdhrin nr. 206, datë 25.10.2022 të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, që përcakton formatin standard të PVVEE-ve për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Procesi i hartimit është mbështetur nga ekspertët e projektit EFFORT dhe Co-PLAN, në bashkëpunim me drejtoritë teknike të Bashkisë Mirditë, Agjencinë për Efiçiencë të Energjisë dhe aktorët lokalë, përfshirë përfaqësues të shkollave, institucioneve publike dhe sektorit privat.

Në përmbajtje, plani paraqet një analizë të gjendjes energjetike në territorin e bashkisë, ku identifikohen mundësitë për modernizimin e ndërtesave publike, rritjen e efiçiencës së ndriçimit rrugor, reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe nxitjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme, kryesisht energjisë diellore. Dokumenti përfshin një set masash konkrete që lidhen me përmirësimin e infrastrukturës publike, trajnimin e stafit teknik, dhe ndërgjegjësimin e komunitetit për përdorimin efikas të energjisë.

Procesi u karakterizua nga transparencë dhe përfshirje të gjerë. Gjatë hartimit, u zhvilluan takime dhe konsultime me grupet e interesit dhe me përfaqësues të institucioneve lokale e kombëtare, për të siguruar që plani të jetë në përputhje me objektivat strategjikë të zhvillimit vendor dhe politikat kombëtare të energjisë.

Miratimi i PVVEE-së përbën një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të menaxhimit energjetik në nivel vendor dhe do të shërbejë si udhërrëfyes për investimet e ardhshme, si dhe për forcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e masave të përcaktuara.

Komuna Junik – Miratimi i Planit Komunal të Veprimit për Energji dhe Klimë (PKVEK)

Procesi i hartimit të Planit Komunal të Veprimit për Energji dhe Klimë në Junik u zhvillua gjatë vitit 2024 dhe gjysmës së parë të vitit 2025, në përputhje me Ligjin për Efiçiencë të Energjisë nr. 06/L-079, Ligjin për Ndryshimet Klimatike (2024), si dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale nr. 03/L-040. Dokumenti është ndërtuar duke ndjekur udhëzimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si dhe kornizat e politikave të Bashkimit Evropian për klimën dhe tranzicionin energjetik.

Procesi u zhvillua në mënyrë gjithëpërfshirëse, me kontributin e drejtorive komunale, ekspertëve të projektit EFFORT dhe Co-PLAN, Departamenti i Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, si dhe përfaqësuesve të komunitetit lokal dhe bizneseve. Përmes një serie takimesh, aktivitetesh dhe konsultimesh publike, u analizua gjendja aktuale energjetike dhe u përcaktuan prioritetet për përmirësim.

PKVEK i Junikut paraqet një vlerësim të detajuar të situatës ekzistuese, duke evidentuar nevojën për reduktimin e varësisë nga burimet fosile, rritjen e efiçiencës së energjisë në sektorët publik dhe privat, dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike përmes ruajtjes së burimeve natyrore, promovimit të energjive të rinovueshme, rritjen e efiçencës energjitike dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve. Dokumenti përfshin një sërë masash konkrete që synojnë modernizimin e ndërtesave publike, zëvendësimin e ndriçimit rrugor me teknologji LED/Smart, përdorimin e energjisë diellore dhe përfshirjen e komunitetit në veprime klimatike.

Pas përfundimit të procesit të konsultimit dhe verifikimeve teknike, Plani Komunal i Veprimit për Energji dhe Klimë i Komunës Junik u miratua më 31 korrik 2025 nga Kuvendi Komunal i komunës Junik. Ky miratim shënon një hap të rëndësishëm institucional për përfshirjen e klimës dhe energjisë në politikat vendore dhe krijon bazën për investime të ardhshme në energji të pastër dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Projekti EFFORT, shembull i bashkëpunimit ndërkufitar

Miratimi i këtyre dy dokumenteve, PKVEK në Junik dhe PVVEE në Mirditë, përfaqëson një arritje të rëndësishme të projektit “EFFORT” dhe një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të dyja njësitë vendore kanë shprehur angazhimin e tyre për të zbatuar këto plane në praktikë, duke e parë efiçiencën e energjisë dhe veprimin klimatik si mundësi për zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale dhe mbrojtje të mjedisit.
Këto dokumente janë dëshmi e qasjes së re që po ndërtohet në nivel lokal, një qasje që orienton zhvillimin drejt qëndrueshmërisë, aftësisë për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve klimatike dhe integrimit evropian.

Share this Post