Projekti i Partneritetit Urban (UPP II)

Qëndrueshmëria Sociale dhe Angazhimi Qytetar

Periudha e zbatimit: 2015-2016
Donator: Banka Botërore
Fondi: 199.995 (USD)
Zbatohet në: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bosnje Hercegovinë, Kroaci, Mali i Zi
Zbatuar nga: Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe I2UD, Instituti për Zhvillim Ndërkombëtar Urban

Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me Institutin për Zhvillim Ndërkombëtar Urban (I2UD), janë duke zbatuar projektin e qëndrueshmërisë sociale dhe Angazhimit Qytetar (SSCE), nën Programin e Partneritetit Urban (UPP). Faza e dytë e këtij projekti bazohet në mësimet dhe praktikat më të mira që dolën gjatë fazës së parë të zbatimit të tij (2012-2013), duke përfshirë dhe zgjeruar më tepër fokusin mbi angazhimin qytetar. Zgjerimi i projektit të Auditimit të Qëndrueshmërisë Sociale në 9 qytete në rajonin e Ballkanit Perëndimor bëhet për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin mbi llogaridhënien sociale të aktorëve vendorë, ku përfshihet shoqëria civile, zyrtarët qeveritarë, banorët dhe grupet e margjinalizuara urbane; dhe për të forcuar integritetin në ofrimin e shërbimeve publike, duke rritur kërkesën për qeverisje të mirë, llogaridhënie sociale dhe rritje të angazhimit qytetar, në një perspektivë rajonale. Qëllimi i projektit për fazën II është të zgjerohej duke përfshinte të shtata vendet e rajonit, përkatësisht: Shqipërinë (Elbasan), Bosnje Hercegovinën (Tuzla), Kroacinë (Karlovac), Maqedoninë (Kumanovo), Malin e Zi (Ulqin dhe Kolashin), Kosovën (Gjilan) dhe Serbinë (Sabac dhe Pancevo). Aktivitetet në kuadër të këtij projekti janë zbatuar në sinergji me komponentët e tjerë të UPP II, respektivish me Iniciativën e Ndërtimit të Integritetit, Vetëvlerësimit financiar Bashkiak dhe Auditit Urban. Përveç koordinimit të projektit në nivel rajonal, Co-PLAN punoi ngushtësisht me Bashkinë e Elbasanit, në ndërmarrjen e një studimi tërësor mbi nivelet e llogaridhënies dhe transparencës në bashki, duke përfshirë sa më shumë komunitetiT vendas, nëpërmjet diskutimeve me grupe të fokusuara, intervistat me ekspertë dhe workshop për zhvillimin e skenarëve, duke përfunduar me hartimin e një manuali që orienton vendim-marrjen lokale drejt proceseve me pjesëmarrje.

Co-PLAN ka kontribuar në nivel projekti në përditësimin e kornizës analitike dhe metodologjike dhe planit të punës, për vlerësimin e nivelit të qëndrueshmërisë sociale dhe përfshirjes qytetare në qeverisjen lokale; si dhe koordinimin koonceptual dhe praktik mes komponentëve të UPP II. Aktivitetet kryesore dhe produktet përgjatë vitit 2016 përfshijnë:

  • 9 Raporte të plota analitike për secilën nga bashkitë pjesëmarrëse në projekt, ku jepet një pamje e plotë e sfidave me të cilat duhet të përballen grupet e margjinalizuara në çdo qytet, duke përfshirë edhe një profil të detajuar për secilën bashki dhe nivelin e ofrimit të shërbimeve për qytetarin;
  • Mbajtjen e mbi 40 diskutimeve me grupe të fokusuara dhe mbi 80 intervista në të nënta qytetet e rajonit, për të marrë informacion në nivel komuniteti mbi vështirësitë, mangësitë në marrjen e shërbimeve, dhe përjashtimit social, të dhënat këto të cilat nuk gjenden zakonisht në census apo anketa;
  • Zhvillimi i 9 workshop-eve për zhvillimin e skenarëve me pjesëmarrje në secilën prej bashkive të rajonit, për të paraqitur gjetjet fillestare nga diskutimet me grupe të fokusuara dhe intervistat me grupet e interesit dhe qytetarët. Gjatë aktivitetit, u dhanë zgjidhje të ndryshme për disa nga problemet në ofrimin e shërbime publike; U konsideruan disa skenarë operacional të mundshëm dhe të arritshëm;
  • Hartimi i Planeve të Veprimit për të gjitha 9 bashkitë e rajonit në formate të ndryshme, si manuale, projekte, praktika bashkiake, etj;
  • Hartimi i 9 Raporteve përmbyllëse për të gjitha bashkitë, duke përmbledhur të gjithë procesin e vlerësimit të nivelit të llogaridhënes sociale dhe angazhimit qytetar në vendimmarjen e qeverisjes vendore, si zgjidhjet gjithë-përfshirëse për problemet e identifikuara.
  • Hartimi i një manuali në funksion të bashkisë dhe stafit të Elbasanit, në mënyrë që të nxiten ose forcohen praktikat me pjesëmarrje dhe angazhimi i komunitetit në vendimmarrjen lokale.
Share this Post