Roli, sfidat dhe nevojat e bashkive dhe aktorëve në nivel vendor gjatë krizës COVID-19

Gjatë periudhës Mars – Prill 2020, Shqipëria, sikurse edhe vende të tjera Evropiane, u prek nga pandemia COVID-19. Prekja nga coronavirusi i ri u shtri në të gjithë territorin, duke vënë në vështirësi sistemin shëndetësor dhe atë të mbrojtjes civile. Ndërkohë, masat e marra nga qeveria për vendosjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, karantinimin dhe kufizimin e disa lirive individuale, janë instrumenti i përdorur për të ulur kurbën e infektimit, transmetueshmërinë dhe presionin mbi shërbimin spitalor. Në këto kushte, roli i pushtetit vendor dhe i aktorëve lokalë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës mbetet i kufizuar, por jo i pamundur.

Shoqata e Autonomisë Vendore në bashkëpunim me Co-PLAN, realizuan një pyetësor për të mbledhu informacion mbi rolin aktual dhe të ardhshëm të aktorëve publikë dhe jo-publikë në nivel vendor, për të adresuar krizën që shoqëron pandeminë COVID-19, përfshirë sfidat me të cilat përballen këta aktorë dhe nevojat e tyre.

Studime të ngjashme po realizohen në vende të ndryshme, për të kuptuar rolin e mundshëm, forcën dhe aftësinë, si edhe sfidat e nivelit vendor për të adresuar dhe zbutur krizat e fatkeqësive. Ndërkohë që niveli vendor është shumë më afër qytetarëve sesa ai qendror dhe ka aftësi reagimi të shpejta, jo kudo ai përgjigjet në mënyrë të njëjtë, për shkak të kompetencave të kufizuara, mungesës në burime njerëzore dhe financiare, hendeqeve ligjore, mungesës së trajnimit dhe të grupeve vullnetare, etj.

Përgjigjet e dhëna në këtë pyetësor jane duke u përpunuar dhe rezultatet e nxjerra do të përdoren për të ndikuar politikëbërjen dhe procesin e decentralizimit në lidhje me adresimin e krizave të fatkeqësive, për të ndihmuar në forcimin e sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, dhe për të advokuar në emër të pushtetit vendor për rolin dhe nevojat e aktorëve lokalë në menaxhimin e krizave.

Share this Post