Vepro kudo je dhe si mundesh! Bashkoju #NAD2023!

Dita Kombëtare e Aktivizmit po afron!

Ftojmë të gjithë të rinjtë, organizatat, aktivistët dhe çdo qytetar nga çdo vend i Shqipërisë të na bashkohet në Ditën Kombëtare të Aktivizmit #NAD2023!

Si çdo vit mirëpresim çdo aktivitet apo formë të shprehjes së aktivizmit qytetar. Ju mund të zgjidhni formën, vendin dhe kohën – çdo aktivitet sado modest, ka vlerë në ndryshimin e gjërave për mirë në realitetin ku jetojmë.

Disa nga aktivitetet që i janë bashkuar NAD-it në vite janë:

– Fushata ndërgjegjësimi në fusha të ndryshme qofshin në zona konkrete por dhe online;

– Aktivitete të prekshme me fokus në mjedis si fushata pastrimi zonash të ndotura, mbjellje pemësh, praktika ricikilimi, kompostimi apo çdo formë tjetër të promovimit të mbrojtjes së mjedisit;

– Aktivitete në promovimin e të drejtave të njeriut, gjithëpërfshirjes, diversitetit;

– Apo çdo temë tjetër me interes dhe dëshirë për ju!

Dita Kombëtare e Aktivizmit – #NAD është një ditë e përkushtuar për të çmuar aktivizmin qytetar të të gjitha formave me një gjeografi që shtrihet në të gjithë vendin duke i bërë jehonë rëndësisë së aktivizmit qytetar dhe rolit të tij thelbësor në ndërtimin e një demokracie të shëndetshme.

Për 5 vitet e fundit, mbi 160 organizata lokale, aktivistë si dhe aktorë të mirënjohur brenda skenës së shoqërisë civile janë bërë pjesë e #NAD përmes aksioneve praktike të organizuara në vend, pjesëmarrjes në panairet e shoqërisë civile të mbajtura në lokacione qendrore në Tiranë.

Këtë vit, #NAD do të festohet si pjesë e Javës së Amerikës në periudhën 9-15 tetor 2023. Ju mund të zgjidhni më poshtë në mënyrën si mendoni t’i bashkoheni Ditës Kombëtare të Aktivizmit këtë vit:

Organizimit të një aktiviteti lokal kudo jeni – Ju vendosni temën, mënyrën dhe vendin; #NAD2023 ju ofron platformën për t’i bërë jehonë nismave dhe për t’Ju bërë pjesë të një komuniteti të madh aktivistësh të cilët do të jenë duke zhvilluar aktivitete nga më të larmishmet në vende të ndryshme të Shqipërisë.

Pjesëmarrjes në Panairin e Aktivizmit me fokus në aktivizmin dhe advokimin për të drejtat e njerëzve me aftësi ndryshe (përfshirë aftësinë e kufizuar, nevojat e veçanta, etj.). Panairi do të zhvillohet përgjatë javës së 2-të të tetorit.

Pjesëmarrjen tuaj mund t’a konfirmoni me email në: nad@co-plan.org brenda datës 22 shtator, 2023.

Vepro kudo je, dhe si mundesh! Bashkoju NAD2023!

Share this Page