Kërkohen #shkëndija
Vepro kudo je, dhe si mundesh. Bashkoju nismës #shkëndija. Një shkëndijë ndez një mal!
A jeni një organizatë e re, një grup entuziast, apo dhe një individ plot energji kudo në Shqipëri që dëshironi të ndryshoni gjërat për mirë, aty ku jetoni, apo të ngrini një problem që ju shqetëson? A ka diçka që mund të jetë më mire në përditshmërinë tuaj dhe në vendin ku jetoni?
Nisma #shkëndija synon pikërisht këtë – anë e kënd Shqipërisë – kudo jeni, t’ju ndihmojë të ngrini çështje shqetësuese dhe të ndërmerni veprime konkrete për zgjidhjen e tyre. Koha ka treguar, që zgjidhja nuk vjen gjithmonë nga të tjerë dhe që personi më i mirë që mund të ndryshojë diçka, je ti.
Krahas kësaj, nisma #shkëndija ju ofron mundësinë të zgjeroni rrjetin tuaj përmes njohjes me organizata dhe grupe të tjera që janë si ju – energjik, dhe plot shpresë dhe iniciativa për të përmirësuar sado modestisht vendin ku jetojmë.
Por çfarë është nisma #shkëndija?
Ne si Co-PLAN me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ideuam nismën/programin #shkëndija si një mënyrë për të mbështetur me njohuri dhe mundësi, dhe për të inkurajuar grupe apo individë të ndërmarrin nisma konkrete për ndryshim me qëllim përmirësimin e jetës së tyre dhe qytetarëve në komunitetin ku ata jetojnë.
Pse duhet të aplikoni?
Arsyet janë të shumta, por ne po ndajmë disa:
- Për të qënë pjesë e një organizimi dinamik rinor që mbështet zhvillimin e komunitetit tuaj.
- Për të përmirësuar aftësitë tuaja në ngritjen dhe adresimin e problematikave të komunitetit
- Për të kultivuar aftësitë tuaja ndryshim-sjellëse;
- Për t’ju njohur me shumë nisma të tjera interesante që janë duke ndodhur që ju mund të doni t’i bashkoheni apo t’i mbështesni.
Pjesëmarrësit e nismës #shkëndija do të kenë mundësi jo vetëm të mësojnë nga njerëz me përvojë, por dhe të këshillohen dhe mbështeten nga ta gjatë rrugëtimit shumë domethënës dhe shpërblyes të aktivizmit.
Nëse e ndjen thirrjen për t’i shërbyer komunitetit, bashkoju nismës #shkëndija.
Për më shumë informacion kontaktoni në: aida_ciro@co-plan.org co-plan@co-plan.org
Nisma #shkëndija vjen në kuadër të projektit SAIL (Sparking Activism Initiatives Locally), financuar nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane si pjesë e programit ‘Civil Society Capacity Building’, dhe e zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në të gjithë Shqipërinë.