Mbi Eficencën Energjitike – Takim Kombëtar

ishte në qendër të takimit kombëtar të zhvilluar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Universiteti POLIS, në bashkëpunim me Ekolëvizjen, MilieuKontakt Albania dhe Qendra EDEN, në kuadër të projektit të financuar nga BE “Zhvillimi i Platformës (ENV.net) në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi: t’i japim qytetarëve një zë për të ndikuar në procesin e reformave mjedisore për integrimin më të shpejtë në BE” dhe nëpërmjet Programit të Partneritetit për Organizatat e Shoqërisë Civile. Bashkimi Europian, në paketën e tij për Klimën dhe Energjinë prezantoi një numër detyrimesh ligjore për të gjithë vendet anëtare, me qëllim sigurimin e plotësimit të kerkesave 20-20-20 deri në vitin 2020 ose: (1) Reduktimin me 20% të emëtimeve të gazeve serrë në BE krahasuar me emëtimet e vitit 1990; (2) Rritja me 20% e përdorimit te energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme; (3) Përmiresimi me 20% e Efiçencës së Energjisë në BE.
Ndonëse kjo nismë është përqafuar gjerësisht nga vendet kandidate dhe kandidate të mundshme, nëpërmjet detyrimeve kushtëzuese të vendosura në kuadrin ligjor, Shqipëria është ndër ato vende që nuk ka vendosur ende objektiva të qarta në përputhje me strategjinë e BE-së “20-20-20”. Megjithë progresin e kryer në rritjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme, ka ende nevojë të bëhen përpjekje thelbësore në rritjen e efiçiencës së energjisë.
Sot, vëmendja e institucioneve tona është më e fokusuar në reduktimin “e humbjeve në trasmetim dhe shpërndarje”, ndërkohë që nuk ka udhëzime zyrtare për mënyrën e rritjes së efiçencës së energjisë në sektorin e banesave, marrë parasysh se ky sektor konsumon 23% të energjisë në vend. Për më tepër, kuadri ligjor aktual (konkretisht Ligji për Eficiencën e Energjisë dhe Kodi i Banesave) nuk eshtë përditësuar ende në përputhje me Direktivat përkatëse të BE-së.
Po kështu mungojnë procesi i monitorimit dhe sidomos instrumentat stimulues për mundësimin e praktikave të tilla. Takimi, i cili u zhvillua në ambjentet e Universitetit Polis, në datë 12 Dhjetor 2013, solli në vëmendje, çështje që kanë të bëjnë me efiçencën e energjisë në sektorin e banesave duke përmbushur këto objektiva: (i) Analizimin e  progresit institucional dhe legjislativ deri në ditët e sotme, për eficiencën e energjisë në banesa; (ii) Prezantimi i rekomandimeve për të përmirësuar kuadrin aktual legjislativ dhe institucional për efiçiencën e energjisë në  sektorin e banesave në Shqipëri; (iii) Rritjen e ndërgjegjësimit qytetar, shoqërisë civile dhe institucioneve mbi nevojën për progres në këtë fushë, dhe (iv) konsolidimin e rolit të shoqërisë civile në përmirësimin e kuadrit ligjor
për efiçiencën e energjisë dhe lehtësimin e zbatimit të tij.

Share this Post

Leave a Comment